Asnjë Universitet nga RMV nuk u rendit në listën globale 2000
Asnjë nga universitetet e Maqedonisë së Veriut, nuk u rendit mes 2000 universiteteve më të mira në botë, sipas listës Global 2000 të publikuar nga Qendra për Renditjen e Universiteteve Botërore. Sipas Qendrës, e cila i ka vlerësuar universitetet bazuar në katër kritere, pa u mbështetur në anketa apo në të dhëna të siguruara nga vetë universitetet: cilësia e arsimit është 25%, punësueshmëria e të diplomuarve (25%), cilësia e stafit akademik (10%) dhe puna kërkimore-shkencore (40%). Po ashtu sipas Qendrës, Universiteti më i vlerësuar në rajon është Universiteti i Beogradit, i cili zë vendin e 393-të, Universiteti i Lubjanës renditet në vendin e 444, ndërsa Universiteti i Zagrebit në vendin e 522-të. Edhe tre universitete të tjera nga Serbia janë pjesë e listës Global 2000: Universiteti i Novi Sadit renditet në vendin e 1.136-të, Universiteti i Kragujevcit në vendin e 1.549-të dhe Universiteti i Nishit në vendin e 1.886-të ndër universitetet më të suksesshme në botë. Qendra nga lista e publikuar ka sqaruar se nga Kroacia, përveç Universiteti i Zagrebit, në listë renditen edhe Universiteti i Splitit (vendi i 953-të) dhe Universiteti i Rijekës (vendi i 1.658-të). Ndërkaq sipas listës, nga Sllovenia, në listë gjendet edhe Universiteti i Mariborit, i renditur në vendin e 1.293-të.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
