AUV: Asgjësohet mbi 27.5 ton qumësht nga Kosova
Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në pikën kufitare të Bllacës, javën e kaluar kanë ndaluar importin e dy ngarkesave me qumësht UHT nga Republika e Kosovës, me peshë totale prej 27.520 kilogramësh.
Sipas AUV-së, gjatë kontrolleve laboratorike është konstatuar prania e aflatoksinës në nivele mbi përqendrimet maksimale të lejuara me legjislacionin në fuqi. Për këtë arsye, ngarkesat janë vlerësuar si të pasigurta për konsum dhe nuk është lejuar hyrja e tyre në tregun vendas.
Qumështi, i cili ishte destinuar për shpërndarje në një zinxhir tregjesh në vend, është shkatërruar në deponinë e Drisllës nën mbikëqyrjen e një veterineri zyrtar.
Nga AUV bëjnë të ditur se mostrat për analizat laboratorike janë marrë në kuadër të Programit të Monitorimit, të cilin shërbimet inspektuese të Agjencisë e zbatojnë në pikën kufitare për ngarkesat me ushqime me origjinë shtazore që importohen në vend.
AUV thekson se më 17 korrik të këtij viti ka miratuar edhe një vendim për vendosjen e masave të veçanta të sigurisë gjatë importit të qumështit dhe produkteve të qumështit, përfshirë produktet që përmbajnë qumësht të kondensuar dhe qumësht pluhur.
Me këto masa janë forcuar kontrollet zyrtare gjatë importit të këtyre produkteve, duke përfshirë testime dhe kontrolle laboratorike të detyrueshme për verifikimin e përputhshmërisë me kërkesat e përcaktuara të cilësisë dhe sigurisë.
Sipas AUV-së, qëllimi i masave është që në tregun vendas të vendosen vetëm produkte të sigurta dhe cilësore, si dhe të sigurohet konkurrencë e drejtë dhe mbrojtje më e madhe për prodhuesit dhe konsumatorët.
