BDI: Dy vjet hetim pa asnjë dëshmi, akuzë absurde politike për vendim kolektiv
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës për rastin e Lotarisë Shtetërore, duke e cilësuar atë si politik dhe duke kërkuar transparencë të plotë të procesit gjyqësor.
BDI thotë se pas dy vitesh hetime, opinioni duhet të informohet se mbi cilat prova dhe argumente konkrete është ngritur aktakuza.
“BDI shpreh shqetësim serioz për ngritjen e një aktakuze politike për përgjegjësi individuale që buron nga një vendim kolektiv. Pas dy vitesh hetim, opinioni meriton të dijë mbi cilat prova dhe argumente konkrete mbështetet një akuzë e tillë.
Ne respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por njëkohësisht kërkojmë drejtësi të barabartë dhe joselektive. Vendimet kolektive nuk mund të shndërrohen në instrument për përgjegjësi selektive dhe përndjekje politike individuale.
Pikërisht për këtë arsye kërkojmë transparencë të plotë të procesit, në mënyrë që opinioni, mediat dhe ekspertët të mund të njihen me çdo pretendim, provë dhe argument të palëve.
BDI kërkon gjithashtu mbikëqyrje ndërkombëtare të hapur dhe transparente të këtij rasti. Nuk kërkojmë privilegj për askënd, por vetëm zbatim të barabartë të ligjit, proces të drejtë dhe drejtësi të pandikuar nga politika.
Asnjë dëshmi, asnjë provë dhe asnjë fakt nuk e bën të bazuar këtë akuzë”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
