
BDI kundër delegjitimizimit të regjistrimit të vitit 2021: Shqiptarët dolën me 29.5 por qeveria i uli në 24.3%
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të fundit për të delegjitimuar procesin e regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, i cili për herë të parë pas vitit 2002 nxori shqiptarët në nivelin 29.5%, krahasuar me 25.17% në regjistrimin e vitit 2002.
Sipas BDI-së, akuzat për paligjshmëri në lidhje me regjistrimin janë “një përpjekje e qëllimshme për të mbuluar vendimin e turpshëm, të padrejtë dhe antikushtetues të kësaj qeverie,” e cila, pa legjitimitet politik shqiptar, e ka zvogëluar përqindjen e shqiptarëve në 24.3% duke përjashtuar diasporën nga përllogaritjet zyrtare.
Reagimi i plotë i BDI-së:
“Ky veprim, tashmë i rrëzuar si i kundërligjshëm, nuk është thjesht një gabim teknik apo administrativ, por një akt politik i rëndë që synon zvogëlimin e përfaqësimit të shqiptarëve në mënyrë sistematike, duke anashkaluar kontributin, praninë dhe të drejtat e diasporës.”
BDI rikujton se:
“Ata që sot flasin për procesin e regjistrimit të vitit 2021, janë të njëjtët që në vitin 2024 votuan dhe legalizuan përjashtimin e mbi 300 mijë shqiptarëve jashtë vendit. Nga 29.5% që ishte përqindja e shqiptarëve, me vendime politike dhe diskriminuese, u soll në 24.3%, çka nënkupton më pak se edhe vetë rezultati i regjistrimit të vitit 2002.”
Partia shqiptare thekson se:
“Nëse dikush sot duhet të mbajë përgjegjësi për manipulime, atëherë janë funksionarët e kësaj qeverie dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë që votuan dhe zbatuan vendime që dëmtojnë shqiptarët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe afatgjate.”
BDI rithekson:
“Nuk do të lejojmë që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të padukshëm në vendin e tyre dhe do të përdorim të gjitha mjetet demokratike, ligjore dhe politike për të mbrojtur realitetin demografik dhe të drejtën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.”