
Deklarata nga Trump dhe Osmani, Bytyçi tregon momentin kur Serbia synonte ta sulmonte Kosovën
AA
Deklarata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se ai ka parandaluar një konflikt të mundshëm në Kosovë, ka marrë vëmendje të madhe dhe është interpretuar në mënyra të ndryshme në Shqipëri e sidomos në Kosovë. Së fundi, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar atë që ka deklaruar tash e disa herë së fundi presidenti amerikan.
“Presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm së fundi. S’po flasim për vitin 2023 apo 2020. Po flasim për zhvillimet shumë të fundit. Por KFOR-i është aty dhe ne po bëjmë punë të mrekullueshme në parandalim e mbrojtje”, ka thënë Osmani në diskutimin e ndodhur në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.
E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, prof.dr.Enver Bytyçi.
“Ajo që nuk na shkoi në mendje ka të bëjë me kohën, për të cilën i referohej zoti Trump. Besonim se bëhej fjalë për periudhën e presidencës së tij të parë, 2017-2021. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me deklaratën e saj të fundit, sqaron publikun se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka luajtur një rol të tillë – pra ka parandaluar një sulm të Serbisë kundër Kosovës – pikërisht në muajt e parë të këtij viti, kur ai sapo erdhi në Shtëpinë e Bardhë. Unë e besoj një zhvillim të tillë, ndonëse e kam kontestuar faktin se gjatë kohës kur diskutohej ndarja e Kosovës, ajo të ishte e rrezikuar nga një ndërhyrje ushtarake e Serbisë”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, Serbia kishte tentuar të shfrytëzonte vakuumin e krijuar në qeverisjen amerikane.
“Natyrisht që në periudhën e ndërrimit të pushteteve dhe pas votimit të fillimit të nëntorit për zgjedhjen e presidentit amerikan, Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq, mund të kenë besuar se mund të ndërmerrnin një aventurë të tillë, gjithnjë për të shfrytëzuar vakuumin e krijuar në qeverisjen amerikane. Ndoshta edhe kanë besuar se Donald Trump do ta toleronte një ndërhyrje blic të Serbisë në Kosovë. Por jo vetëm kaq. Presidentja Osmani ka gjithashtu tagrin dhe autoritetin që të ketë informacion të saktë e të detajuar për një plan të tillë të Serbisë gjatë vitit të fundit”, thekson Bytyçi.
Bytyçi thotë se nga nëntori i vitit 2024 e më pas, Serbia po përgatitej për një ndërhyrje ushtarake në Kosovë.
“Ndërsa po të analizojmë edhe zhvillimin e ngjarjeve, retorikën që Beogradi ka përdorur kundër Kosovës dhe kryeministrit Kurti, atëherë mund të konkludojmë lehtësisht se në muajt e fundit – nga nëntori i vitit të kaluar e më pas – Serbia po përgatitej për një ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Ishte një retorikë njësoj si ajo që Kremlini dhe Vladimir Putin përdorën kundër Ukrainës në prag të sulmit ushtarak të 22 shkurtit 2022. “Albin Kurti po persekuton serbët në Kosovë”! “Në Kosovë kanë ndodhur, thoshte Vuçiq në KS të OKB-së, aq e kaq sulme kundër serbëve për arsye etnike” – dhe ato shifra nuk ekzistonin, madje nuk ishte i aftë të provonte qoftë edhe një rast të vetëm. “Regjimi i Kurtit” ishte një tjetër term i Beogradit. Pra, gjithçka që nxirrte nga goja Aleksandër Vuçiq për Kosovën, e kishte thënë më parë Vladimir Putin kundër Ukrainës. Vetëm “denazifikimin” e Kosovës nuk e tha fjalë për fjalë, por e nënkuptoi presidenti i Serbisë”, shpjegon profesor Bytyçi.
“Në këto kushte, duhet besuar plotësisht se Serbia po përgatiste një ndërhyrje ushtarake. Dështimi i ndërhyrjes me terrorizëm në Banjskë më 23 shtator 2023, me siguri që e motivonte kreun e shtetit serb që të ndërmerrte akte të tjera terrorizmi kundër Kosovës. Për këtë arsye ai vazhdon ta mbështesë Milan Radoiçiq-in me të gjitha mjetet financiare dhe ushtarake, që të riorganizohet në akte të tjera terrorizmi në Kosovë. Për këtë arsye Vuçiq nuk i bindet asnjë kërkese të ndërkombëtarëve për ta dënuar atë, aq më pak për ta ekstraduar në Kosovë. Vuçiq është mbrojtësi kryesor i kryekriminelit dhe kryeterroristit serb, Milan Radoiçiq”, shton Bytyçi për “Bota sot”.
Më tej, në rast se Serbia do të ndërhynte në Kosovë, atëherë ky konflikt do të kishte pasoja për gjithë rajonin.
“Në këto kushte është shumë e mundshme, madje tashmë e provuar, se Serbia në këtë periudhë – të cilën e përmend Presidentja e Republikës së Kosovës – të kishte planifikuar një akt sulmi ushtarak kundër Kosovës. Dhe në këtë rast, nuk është e vështirë të kuptojmë se shërbimet sekrete amerikane dhe perëndimore ta kenë informuar presidentin Trump. Ndërkohë, ai me siguri që ka paralajmëruar agresorin, pra presidentin e Serbisë, për pasojat e një akti të tillë destabilizimi – jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.”
Po sikur të ndodhte vërtetë një sulm ushtarak serb kundër Kosovës, çfarë do të ndodhte?
“Është interesant, në fakt, se si Vuçiq dhe shteti i Serbisë vazhdojnë akoma me metoda të tilla lufte e provokimi kundër Kosovës. Ata kishin në vitin 1999 një ushtri dhe një popull militar, ndërkohë që UÇK e mundi atë në Koshare. Po sot? Policia e Kosovës, e vetme dhe pa ndihmën e FSK-së e të KFOR-it, e mundi Serbinë dhe terroristët e saj në Banjskë. Brenda 24 orësh, së paku 100 mijë shqiptarë të mobilizuar në luftë do të reagonin kundër Serbisë. A do të ishte e aftë ushtria serbe t’i përballonte këta shqiptarë të Kosovës – të armatosur tashmë dhe të komanduar nga një presidente si kryetare e shtetit? Edhe budallenjtë e dinë se një luftë e Serbisë kundër Kosovës nuk mund të fitohet prej saj. E thoshte Rugova se Serbia duhet të kuptojë se edhe ajo është një shtet dhe një popull i vogël. Vuçiq ende nuk e ka kuptuar këtë. Për fatin e keq të saj. Mesa duket, dëshiron që t’ua japë viktimave të saj shansin e fundit që të rikthejnë të drejtën e tyre në Ballkan!” thekson Bytyçi.
“Pavarësisht kësaj, ajo që po bën Donald Trump është vërtet një akt për meritë dhe për mirënjohje. Me atë deklaratë, presidenti amerikan riktheu vëmendjen plotësisht ndaj Kosovës, ndërkohë që Aleksandër Vuçiq-in e bëri me dhimbje koke”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.