Enest Muçi, nuk ishte i përshtatshëm për tu transferuar te Beshiktashi?!
Dorëheqja e presidentit, largimi i trajnerit Xhovani Van Bronkhorst dhe shkarkimi i disa drejtuesve të klubit, kanë sjellë një situatë kaotike në gjigandët turk. Ernest Muçi u transferua me shumë bujë nga Legia e Varshavës, ku zhvilloi disa sezone pozitivë. Drejtuesit ishin tepër optimist për talentin kuqezi dhe madje paguan 10 milionë euro për të dhe udhëtuan me avion privat duke e “rrëmbyer” në ditën e fundit të merkatos në janar. Gjysma e dytë e sezonit të kaluar foli mirë për Muçin, i cili duket sikur u ambientua shpejt me klubin dhe madje u bë i preferuara i tifozëve. Megjithatë, pas ikjes së trajnerit dhe nisjes së sezonit të ri, gjërat ndryshuan.
Lojtari pati një formë të dobët dhe Xhovani Van Bronkhorst nuk e aktivizonte, por më pas gradualisht ai mori minuta dhe madje shënoi tri herë radhazi në ndeshjet e fundit, përpara se të dëmtohej gjatë ndeshjeve të Kombëtares së Shqipërisë në Ligën e Kombeve.
Në Turqi duket sikur janë penduar për transferimin e fantazistit, që me thënë të drejtën ka luajtur në të gjitha pozicionet e sulmit, si majtas apo edhe në të djathtë. Pasi u shkarkua me një mesazh në tel, Samet Ajbaba që mbante postin e koordinatorit të përgjithshëm në klub ka mbajtur një konferencë për shtyp, duke treguar të gjitha prapaskenat e transferimeve, ku thekson se shpenzimi i asaj shumë për një lojtar si Muçi, ishte i tepruar. Diçka të tillë ai u kishte bërë të ditur menaxherit dhe drejtuesve të bordit me anë të një raporti.
“Drejtuesit na pyetën për Muçin, se çfarë lloj lojtari është. Shkruajtëm një raport për Muçin. Shkruajtëm që nuk është e përshtatshme që të blesh një lojtar, i cili nuk është provuar në një ligë të fortë dhe madje nuk luan rregullisht as në ekipin kombëtar. E njëjta gjë edhe për Musrati. I paralajmërova për kostot. Sigurisht që u tronditëm”, ka theksuar Ajbaba.
Ish-koordinatori i klubit akuzon këshilltarin e klubit Bred Friedel se ka marrë komisione nga merkatoja e verës, por ky i fundit i përgjigjet.
“Nuk kam pasur asnjë lidhje me transferimet e Muçit, Mustratit dhe Zhoaos. Të gjitha këto i ka miratuar komiteti i transferimeve dhe ata e kishin fjalën e fundit. Nuk kam marrë asnjë tarifë dhe shpresoj që e vërteta të zbardhet nga auditi që do të bëhet”, thotë Friedel.
Aktualisht Ernest Muçi është jashtë ekipit për shkak të një dëmtimi dhe ka humbur dy ndeshjet e fundit. Në muajin janar hapet edhe merkatoja dhe nuk dihet nëse do të ketë një lëvizje për fantazistin, por gjithçka varet edhe nga presidenca që do të marrë kontrollin e Beshiktashit, me zgjedhjet që do të bëhen pas një muaji.