
Fuad Halimi jep dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit të Fondit Pensional në RMV
Fuad Halimi ka njoftuar dorëheqjen e tij nga posti i zëvendësdrejtorit të Fondit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë së Veriut, një vendim që thotë se e ka marrë me ndërgjegje të qetë.
Në një postim publik, ai theksoi se detyrën nuk e mori për privilegje personale, por për të shërbyer me ndershmëri qytetarëve.
Halimi tha se, megjithëse për pesë muaj u përpoq t’i qëndronte afër nevojave të njerëzve, nuk arriti të realizonte sa kishte dëshiruar. Ai falënderoi bashkëpunëtorët, familjen dhe qytetarët për mbështetjen dhe shprehu mbështetjen e tij të vazhdueshme për liderin Arben Taravarin.
Në përmbyllje, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së miqësisë përtej bindjeve politike, edhe pse, siç u shpreh, “disa ‘intelektualë’ kanë filluar të na shohin si armiq”.