Gazeta gjermane: Kosova po ndjek shembullin e Serbisë dhe po armatoset
Serbia ka vite që armatoset. Tani Kosova dëshiron të ndjekë atë shembull. Lajmin se SHBA-ja do t’i shesë Prishtinës armë antitank Javelin e raportojnë disa media gjermane – Frankfurter Allgemeine Zeitung disi më gjerësisht.
Shitja e planifikuar e armëve antitank amerikane në Kosovë ka zemëruar qeverinë serbe, shkruan gazeta gjermane.
Lajmi për këtë është “një zhgënjim i madh”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas takimit me ambasadorin amerikan Christopher Hill në Beograd. Të enjten (11 janar), Hill e njoftoi zyrtarisht Vuçiqin se kërkesa për Kosovën e miratuar nga Shtëpia e Bardhë i është përcjellë Kongresit.
Sipas informacioneve nga Prishtina dhe Uashingtoni, Kosova ndër të tjera dëshiron të blejë rreth 250 armë antitank Javelin për Forcat e Sigurisë së Kosovës. Siç raportohet nga mediat e lartpërmendura, ajo paketë përfshin gjithashtu “dërgimin e instruktorëve për përdorimin dhe mirëmbajtjen e atyre armëve që janë dëshmuar efektive kundër tankeve ruse dhe mjeteve të tjera të blinduara në Ukrainë”. Nga Prishtina thonë se marrëveshja e armëve tashmë është arritur dhe se zbatimi është vetëm një formalitet. Ata nuk presin asnjë rezistencë nga Kongresi”.
Sipas deklaratës së SHBA-së, shitja “është në interes të Shteteve të Bashkuara, pasi do të forcojë aftësinë mbrojtëse të vendit partner evropian. Shitja do t’i lejojë Kosovës të ruajë integritetin e saj territorial”.
Pasiguri mbi politikën e ardhshme të SHBA
recommended by
Gazeta shkruan se shumica dërrmuese e popullatës së Kosovës ka vite që janë pro anëtarësimit në NATO. Në të njëjtën kohë, përkujtohet, “se shtetësinë e Kosovës nuk e njohin të gjithë anëtarët e Aleancës, përfshirë Spanjën dhe Rumaninë”. Serbia, e cila nuk e njeh shkëputjen e Kosovës dhe e cila zyrtarisht vazhdon ta konsiderojë atë vend si provincën e saj të shkëputur përkohësisht, shpreson të jetë në gjendje të vendosë përgjithmonë nën kontrollin e saj të paktën veriun e Kosovës me popullsi serbe.
Në të njëjtën kohë, “në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, ka pasiguri për politikën e ardhshme amerikane në rajon, dhe jo vetëm për shkak të fitores së mundshme të Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. . Kjo është edhe për shkak se Serbia ka përmirësuar masivisht forcat e saj të armatosura që kur Vuçiç mori pushtetin në Beograd. Armatimi shoqërohet me retorikë masive revanshiste në mediat pro-qeveritare”.
Advertisement
Kosova dyfishoi buxhetin e saj të mbrojtjes
Si përgjigje, “fqinjët tani po forcojnë gjithashtu aftësitë e tyre ushtarake”. Kosova, një nga vendet ekonomikisht më të dobëta në Evropë, planifikon të shpenzojë më shumë se 200 milionë euro për mbrojtje këtë vit. Së fundmi, ai vend bleu, ndër të tjera, drone Bayraktar nga Turqia. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është mburrur se ka dyfishuar buxhetin e mbrojtjes në dy vitet e para të mandatit të tij.
Nga ana tjetër, teksti përfundon, “Vuçiq së fundi theksoi se ushtria serbe është një nga më të fortat në Ballkan. Ai vuri në dukje numrin e madh të tankeve që vendi i tij mori nga Rusia para sulmit rus në Ukrainë dhe njoftoi se Beogradi do të vazhdojë të blejë armë, veçanërisht nga Kina, veçanërisht avionë luftarakë, dronë dhe sisteme kundërajrore. Në Serbi është planifikuar edhe rifutja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili u hoq në vitin 2011.