Këshilltarët e VLEN-it përshëndesin iniciativën e qytetarëve për mbishkrimin në shqip në Butel: Zgjidhja u takon institucioneve!
Këshilltarët e VLEN-it në Komunën e Butelit kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pas vendosjes së mbishkrimit në gjuhën shqipe në Parkun “Oaza” nga qytetarët.
Përmes një reagimi publik, këshilltarët e VLEN-it kanë përshëndetur iniciativën qytetare, por kanë theksuar se ajo nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë e institucioneve kompetente për zbatimin e ligjit.
Sipas tyre, vendosja e mbishkrimit në shqip nga qytetarët është një nismë për t’u përshëndetur, por problemi duhet të marrë zgjidhje të mirëfilltë institucionale dhe në përputhje me ligjin.
Në reagim, këshilltarët kanë kritikuar edhe mënyrën se si BDI i ka trajtuar këto çështje gjatë kohës kur ka qenë në pozita vendimmarrëse, duke pretenduar se janë pranuar zgjidhje gjysmake që kanë lënë probleme të pazgjidhura deri më sot.
Ata kërkojnë që gjuha shqipe të respektohet jo vetëm në mbishkrimet publike, por edhe në dokumentacionin zyrtar, komunikimin institucional dhe të gjitha shërbimet komunale.