Kilian Mbape: Do ta jap jetën për këtë klub, Hala Madrid
Ylli francez është pritur ngrohtë nga 85 mijë shikues në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ndërsa pasi fillimisht foli presidenti Florentino Perez, i cili i uroi mirëseardhje, erdhi koha të fliste edhe futbollisti i deridjeshëm i Paris Sen Zhermenit.
“Është e jashtëzakonshme të jem këtu. Kam fjetur shumë net duke ëndërruar që ta vesh këtë fanellë dhe tash ja ku jam këtu, si futbollist i Real Madridit. Jam këtu në klubin e ëndrrave të mia, jam shumë krenar dhe i nderuar”, deklaroi fillimisht Mbape, i cili e puthi fanellën e Realit.
“Është një ditë e pabesueshme për mua. I falënderoj të gjithë madrilenët që më kanë përkrahur ndër vite. Tash e kam një ëndërr tjetër që të jem në lartësinë e klubit më të madh në botë. Do ta jap jetën për këtë klub”, shtoi tutje Mbape.
Ai më pas i çoi në trans tifozët duke kërkuar nga ta që bashkërisht të thërrasin: “Hala Madrid” dhe këtë e bënë. Në fund, ai i motivoi krejt fëmijët, duke iu thënë që t’i ndjekin ëndrrat, të cilat mund t’i realizojnë, njëjtë siç bëri ai.