Kriza me ujin në Gostivar, LSDM kërkon përgjegjësi: “Qytetarët u lanë në pasiguri”
LSDM-ja ka akuzuar pushtetin se ka dështuar në menaxhimin e situatës me ujin e ndotur në Gostivar, duke pretenduar se mbi 4.000 qytetarë janë përballur me pasoja shëndetësore, ndërsa përgjegjësitë institucionale ende nuk janë përcaktuar.
Nga kjo parti thonë se mbi 50 vendbanime në vend janë përballur me probleme me ujin e pijshëm dhe se qytetarët po e paguajnë koston me shëndetin e tyre.
“Për katër javë, Mickoski dhe Klekovski kanë luajtur me shëndetin e banorëve të Gostivarit. Për katër javë qytetarët nuk kanë pasur qasje në ujë të sigurt për konsum, ndërsa tani duhet të presin deri më 20 gusht për rezultatet e analizave të ujit të pijshëm”, deklarojnë nga LSDM-ja.
Sipas tyre, qytetarët janë lënë në pasiguri dhe frikë për pasojat e mundshme shëndetësore, ndërsa institucionet nuk kanë ofruar sqarime të mjaftueshme për gjendjen e ujit.
LSDM-ja pretendon gjithashtu se deklaratat se uji ishte “teknikisht i rregullt” nuk janë shoqëruar me publikimin e analizave apo dokumenteve përkatëse.
“Një raport, një analizë e ujit dhe një dokument që do të vërtetonte sigurinë e ujit nuk janë bërë publike”, thonë nga partia.
Ata kanë kritikuar edhe masat e ndërmarra nga institucionet, duke përmendur procesin e hiperklorinimit dhe deklaratat e zyrtarëve për përdorimin e ujit nga rubineti.
Sipas LSDM-së, situata është rënduar edhe më tej nga, siç thonë ata, marrëveshjet për furnizim me ujë, të cilat i kanë cilësuar si të dyshimta.
