Lëvizja Studentore dënon dhunën barbare ndaj babait të 8 fëmijëve!
Lëvizja Studentore ka reaguar ashpër ndaj një rasti të dhunës fizike ndaj një punëtori të Higjienës Komunale në Shkup, i cili është baba i tetë fëmijëve.
Sipas reagimit të kësaj lëvizjeje, burri, i cili punon gjatë natës në Higjienën Komunale për të siguruar të ardhurat për familjen e tij, është sulmuar fizikisht nga një grup prej 15 personash, të cilët në reagim përshkruhen si huliganë maqedonas.
Lëvizja Studentore kërkon nga institucionet kompetente që të ndërmarrin masa urgjente, të identifikojnë të gjithë personat e përfshirë në sulm dhe t’i nxjerrin ata para drejtësisë.
Në reagim, kjo lëvizje ngre edhe çështjen e trajtimit të rasteve të dhunës, duke e krahasuar reagimin institucional me ngjarjet e 28 Nëntorit, kur, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, 13 persona ishin në kërkim, ndërsa dy ishin privuar nga liria.
“Çfarë po ndodh me 15 personat që kanë dhunuar një baba të tetë fëmijëve? A do të identifikohen, a do të merren masa ndaj tyre dhe a do të zbatohet ligji njësoj për të gjithë?”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore.
Në fund, Lëvizja Studentore thekson se kërkon drejtësi, barazi para ligjit dhe mbrojtje për çdo qytetar, pa dallim përkatësie etnike apo politike, duke bërë thirrje që përgjegjësit të japin llogari për veprimet e tyre.