AA
Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare shqiptare në SHBA, Agim Aliçkaj, u prit nga Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe këshilltarja e tij, Fëllanza Podrimja.
Në emër të liderëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, si dhe Bordit të Ligës, Aliçkaj përcolli përshëndetjet më të përzemërta dhe mbështetjen e parezervë për ndërtimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.
Ai ndau informacione rreth situatës aktuale politike në SHBA, aktivitetit të Ligës në Washington dhe bashkëpunimit të mërgatës me institucionet e Kosovës.
“Po na dhembin zemrat për Kosovën,” – tha Aliçkaj me emocione të thella, duke përfaqësuar edhe mijëra bashkatdhetarë në Amerikë që, ndonëse larg në kilometra, janë afër me zemër e mendje me vendin e tyre të origjinës.
Në kuadër të vizitës, Aliçkaj u takua edhe me Ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për punën dhe përkushtimin e tij në mbrojtje të vendit.
Ndër temat e diskutuara ishte ideja e ngritjes së një obelisku për 1432 fëmijët e vrarë nga forcat serbe gjatë luftës, pranë Aeroportit të Prishtinës – një nismë e propozuar nga Dr. Nusret Pllana. Po ashtu u diskutua për përkrahjen e Luginës së Preshevës dhe lëvizjes patriotike shqiptare në Sanxhak, nisma të nisura nga aktivistja Amina Nuraj.
Aliçkaj shprehu shqetësime për krizën aktuale politike në Kosovë, duke kritikuar ashpër deputetët që, sipas tij, kanë vënë interesat personale mbi interesat e shtetit. Ai ngriti pyetje të forta për bllokimin e institucioneve dhe rrezikun që i kanoset shtetit nga veprime të tilla.
Sipas tij, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në favor të “Listës Serbe” është antikushtetues dhe antishtetëror, duke rrezikuar sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“A do të lejonte Amerika një parti të financuar e trajnuar nga Venezuela ose Irani të vepronte lirshëm në SHBA? Jo, kurrë jo,” – theksoi Aliçkaj.
Në përmbyllje, ai nënvizoi se në këtë situatë delikate, figura si Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca janë shpresa e vetme për mbrojtjen e shtetit dhe demokracisë.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbeten e vetmja rrugë e drejtë dhe e sigurt përpara për Dardaninë tonë heroike,” – u tha në takim.
Propozim-ligji i Arsimit të Lartë po vazhdon të ngjallë reagime në publik. Shumica e opinioneve janë kundërshtuese, ndërsa jepen edhe
Në prag të protestës së paralajmëruar të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, deputeti Skender Rexhepi – Zejd, i është bashkangjitur
Zv/ministrja e Transportit dhe Lidhjes, Kaltrina Zekolli, ka demantuar informacionet e publikuara lidhur me uljen mjeteve për ndërtimin e Korridorit