Mexhiti: Panairi i Librit Shqip në Shkup, ngjarje e rëndësishme kulturore
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar Panairin e Librit Shqip në Shkup si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në qytet, duke theksuar se ai shërben si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e librit, dijes dhe identitetit kulturor shqiptar.
Përmes një njoftimi publik, Mexhiti tha se panairi u karakterizua nga një program i pasur me aktivitete të shumta, promovime librash dhe momente të veçanta që, sipas tij, e kanë pasuruar jetën kulturore në kryeqytet.
“Sa i pasur me ngjarje, promovime dhe momente të veçanta ishte Panairi i Librit Shqip në Shkup!”, u shpreh ai.
Një nga momentet kryesore të aktivitetit, sipas Mexhitit, ishte edhe ora përkujtimore kushtuar poetes dhe studiueses Lindita Ahmeti, në përvjetorin e dytë të ndarjes së saj nga jeta. Gjatë këtij aktiviteti u rikujtua vepra dhe trashëgimia e saj letrare.
“Përmes leximit dhe diskutimit të poezive të saj, u rikthye në vëmendje vepra dhe trashëgimia e një krijueseje që la gjurmë të thella në kulturën shqiptare”, tha ai.
Mexhiti shtoi se panairi solli gjithashtu promovimin e veprave të reja të letërsisë bashkëkohore shqipe, mes tyre romanet “Në mëni të njeni-tjetrit” të Besnik Mustafajt dhe “Net dhe mjaltë” të Liridon Mulajt.
Sipas tij, këto aktivitete kontribuojnë në pasurimin e programit kulturor me ide, diskutime dhe perspektiva të reja letrare.
“Me kujtimin e figurave që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë dhe me mbështetjen e autorëve të sotëm, Panairi i Librit Shqip në Shkup vazhdon të jetë një hapësirë e rëndësishme për promovimin e librit, dijes dhe identitetit tonë kulturor”, përfundoi Mexhiti.