Rama e bën për ‘pesë pare’ Bashën: Preu shiritin e një rruge lokale që është projekt i Komunës, ja kontrata
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka kritikuar qeverinë në detyrë për merita që sipas tij nuk i takojnë. Ai ka thënë se Ministria e Infrastrukturës me ministrin në detyrë Dimal Bashën e ka promovuar hapjen e një rruge lokale në kryeqytet si projekt qendror.
Rama ka thënë se Ministria ka qenë bashkëfinancuese në projekt, por me shumë më të vogël se Komuna. Ndërkaq, ka theksuar se kryeqyteti është investitori dhe përgjegjësi kryesor i këtij projekti.
Bëhet fjalë për rrugën lidhëse Sofali – Kolovicë Abedin Dino, e cila u përurua nga ministri në detyrë të premten, 5 qershor. “Në këtë projekt Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka investuar 1.5 milion euro”, thuhej në njoftimin për media të ministrisë.
“Ministri e paska pre shiritin e një rruge LOKALE që është projekt, menaxhim dhe marrëdhënie kontraktuale mes Komunës së Prishtinës dhe operatorit ekonomik. Në mungesë të projekteve të veta, Qeveria ka zgjedhur të bëjë spektakël politik qesharak me një projekt që i takon Kryeqytetit, ndërsa Ministria është veç bashkëfinancuese dhe atë me një pjesëmarrje më të vogël se vetë Komuna”, ka shkruar të shtunën ai.
Tutje ka paraqitur kontratat e projektit dhe shumën që Komuna e Ministria kanë ndarë. Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka ndarë 1,650,000.00 euro, e Ministria 1,500,000.00 euro (të planifikuara për vitet 2024, 2025 dhe 2026).
Rama ka akuzuar Ministrisë se për këtë vit nuk ka paguar asnjë euro.
“Madje, deri më tani Ministria ka realizuar vetëm rreth 600,000.00 € pagesa për vitet 2024-25, ndërsa për vitin 2026 nuk ka paguar ende ASNJË euro”.
“Të dashur ministra, nëse keni kaq shumë kureshtje dhe qejf me pa qysh është me pre shirita, veç kallxoni! Ju thërrasim”.