MPB: 21 shoferë të arrestuar për shkelje të rënda në komunikacion gjatë 24 orëve të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit, nëpunësit policorë në të gjithë territorin e vendit kanë privuar nga liria 21 shoferë për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, 13 prej tyre janë kapur duke drejtuar automjet pa patentë shoferi. Nga këta, pesë raste janë regjistruar në Shkup, dy në rajonin e Tetovës, ndërsa nga një rast në Makedonska Kamenicë, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër dhe Manastir.
Po ashtu, shtatë shoferë janë ndaluar për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit. Tre prej tyre janë arrestuar në Shkup, ndërsa nga një në Sveti Nikollë, Kumanovë, Tetovë dhe Veles.
Një rast tjetër është evidentuar në Kërçovë, ku një shofer ka drejtuar automjetin pavarësisht se ndaj tij ishte shqiptuar masa e ndalimit për drejtim.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të ngriten kallëzime penale përkatëse ndaj të gjithë personave të përfshirë.
Institucioni njëherësh u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të mos drejtojnë automjet pa patentë shoferi, në kundërshtim me masat ndaluese apo nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.