Osmani për vendimet “non grata”: Shqipëria të kuptojë lidhjen e shqiptarëve jashtë kufijve, dera të mbetet e hapur
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani, ka reaguar pas vendimit të autoriteteve shqiptare për shpalljen “non grata” të dy qytetarëve nga Çairi, duke e cilësuar këtë si një çështje të ndjeshme që kërkon mirëkuptim dhe komunikim nga të dyja palët.
Osmani ka theksuar se Shqipëria është një shtet sovran dhe se çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut duhet ta respektojë sovranitetin e saj, duke shmangur përfshirjen në zhvillimet dhe përplasjet e brendshme politike në Shqipëri.
Megjithatë, sipas tij, Tirana duhet të marrë parasysh edhe lidhjen e veçantë historike dhe emocionale që shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë kanë me shtetin shqiptar.
“Për shumë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria nuk përjetohet si një shtet i huaj. Ata e shohin si shtetin e kombit të tyre. Interesohen për të dhe reagojnë ndaj asaj që ndodh atje”, ka shkruar Osmani.
Ai ka vlerësuar se nëse vendimi për shpalljen “non grata” ka ardhur si pasojë e mungesës së mirëkuptimit për këto realitete, atëherë ekziston mundësia që çështja të sqarohet dhe vendimi të rishikohet.
Në fund, Osmani ka bërë apel që Shqipëria të vazhdojë të jetë “një derë e hapur për shqiptarët kudo që jetojnë”, ndërsa shqiptarët jashtë kufijve të saj duhet ta respektojnë atë si një shtet sovran.
Vendimi për shpalljen “non grata” të dy qytetarëve nga Çairi vjen pas masave të fundit të ndërmarra nga Shqipëria ndaj analistit Valon Bela dhe imamit Bekir Halimi, të cilëve gjithashtu u është ndaluar hyrja në territorin shqiptar.
