Për herë të parë aktivizohet mekanizmi i ri: Gjykata Kushtetuese kërkon hetim për moszbatimin e vendimit
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar Prokurorinë Publike dhe Këshillin Gjyqësor se një gjyqtar i Gjykatës Themelore Civile në Shkup nuk ka zbatuar vendimin e saj në lëndën që lidhet me gazetaren Natasha Stojanovska.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që ka trajtuar këtë rast nuk ka mundësuar ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese të parashtrueses, edhe pse këto të drejta ishin përcaktuar qartë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ky është rasti i parë që nga themelimi i Gjykatës Kushtetuese që është aktivizuar mekanizmi i ri për zbatimin e vendimeve të saj. Ky mekanizëm është paraparë në Aktin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2024 dhe synon të sigurojë mbrojtjen dhe zbatimin efektiv të vendimeve të saj.
“Plotfuqishmëria dhe ekzekutueshmëria e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbrohen edhe me sanksione penale në rast se ato nuk zbatohen. Vlerësimi nëse ekziston refuzim për zbatimin e vendimit dhe nëse ka përgjegjësi penale për një person konkret është në kompetencë të Prokurorisë Publike dhe gjykatës kompetente”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Çështja për të cilën Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar shkelje të lirive dhe të drejtave të Natasha Stojanovskës lidhet me ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill 2017.
Me këtë veprim, Gjykata Kushtetuese ka dërguar një sinjal për rëndësinë e zbatimit të vendimeve të saj dhe për përgjegjësinë institucionale në mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
