Përplasje politike midis BDI-së dhe VLEN-it për rrugën drejt Kosovës
Paratë që Qyteti i Shkupit i ka marrë nga Qeveria për bulevardin në Vizbeg, ridestinohen për rrugën nëntoksore në bulevardin jugor. Bëhet fjalë për 6 milionë eurot që Qyteti i Shkupit i kishte marrë nga Qeveria LSDM-BDI, tre në kohën e kryetarit Petre Shilegov dhe tre në kohën e Danella Arsovskës. Ky lajm ka nxitur reagimin e partive shqiptare, pasi bëhet fjalë për të vetmen rrugë që të shpie drejt Kosovës, e cila me vite është në gjendje të mjerueshme.
Nga BDI thonë se ata e kishin projektuar dhe buxhetuar të gjithë lidhjen, nga kufiri me Kosovën deri në Shkup, ndërsa VLEN sipas tyre edhe projektet e gatshme që i gjen, i vonon, i shtrenjton dhe i dëmton.
Tabel: BDI
“Me 6 prill 2023, Qeveria e udhëhequr nga BDI ndau 8 milionë euro për ndërtimin e bulevardit ‘Hasan Prishtina’, rrugës së njohur edhe si Rruga e Kaçanikut, në drejtim të Kosovës, deri te qarkorja e Shkupit, ku do të lidhej me qarkoren dhe autostradën Shkup- Bllacë. BDI kishte siguruar 2 milionë euro për ndërtimin e rrethrrotullimit te semaforët e bulevardit ‘Slloveneçka’, si dhe 6 milionë euro për realizimin e bulevardit ‘Hasan Prishtina’, mjete të cilat iu transferuan Qytetit të Shkupit”.
Ndërsa VLEN ka reaguar duke pyetur zyrtarët e BDI-së se nëse e kanë pasur gati projektin dhe paratë, përse nuk e kanë ndërtuar rrugën.
Tabel: VLEN
“BDI-ja sot thotë: ‘Ne i kemi siguruar paratë’. Por qytetarët me të drejtë pyesin: Nëse gjithçka ishte siguruar, pse për 20 vjet nuk u ndërtuan këto projekte? Ku ishin ato para? Pse pjesa perëndimore e vendit mbeti për dy dekada me rrugë të ngushta, pika të rrezikshme, trase të papërfunduara dhe infrastrukturë që nuk i plotësonte nevojat e qytetarëve?”
Ndërkohë, nga Qyteti i Shkupit kanë deklaruar për portalin “Sakam da kazam” se, tash për tash, prioritet për ta nuk mund të jetë bulevardi “Hasan Prishtina”, por ndërtimi i rrugës nga Bulevardi ‘Nikolla Karev’ dhe kryqëzimi te “Momin Potoku” deri te Bulevardi “Slloveneçka”. Sipas Qytetit, bulevardi “Hasan Prishtina” duhet të pësojë ndryshime të caktuara, me qëllim që të tejkalohen problemet e së kaluarës dhe të shmanget çdo lloj improvizimi. Ata kanë sqaruar se për shkak se nuk ka pengesa për ridestinimin e mjeteve, me vendim të Qeverisë, paratë janë orientuar drejt realizimit të Bulevardit “Maqedonia“.
Ndërsa zgjatimi i vijës që e lidh kryeqytetin me Kosovën po has në probleme, pjesa tjetër e rrugës duket se do të nis të rregullohet, pas një periudhe shumëvjeçare të zvarritjeve. Kështu, më 26 gusht u vendos gurthemeli për dhjetë kilometrat e fundit të autostradës Shkup-Bllacë.
Emine Ismaili Luzha/SHENJA
