
Presidentja Osmani i drejtohet Kushtetueses, kërkon qartësi `nëse nuk bëhet Kuvendi`
AA
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me konfliktin e kompetencave kushtetuese që ka lindur pas mungesës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, më shumë se tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.
– Advertisement –
Kjo kërkesë, sipas saj, ka karakter preventiv për të shmangur pasoja juridike që mund të lindin nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik – afat ky i përcaktuar në një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses.
Sipas Presidentes, kjo është një situatë e paprecedentë në jetën institucionale të vendit dhe, për këtë arsye, ka kërkuar gjithashtu masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues 30-ditor.
“Dua tju njoftoj të nderuara media, të nderuara qytetarë, se sot në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit, kam paraqitur kërkesë në Gjykatë Kushtetuese të Republikës së Kosovës, për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese, të krijuara nga mundesa e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ajo ka theksuar se kërkesa drejtuar Kushtetueses nuk e paragjykon epilogun e ngjarjeve nëse Kuvendi arrin të konstituohet para datës 26 korrik dhe se, në këtë rast, kërkesa mund të tërhiqet.
Osmani theksoi se u detyrua ta dorëzojë këtë kërkesë, për sa kohë që “nuk shihet në horizont as konsensusi e as kompromisi për konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati kushtetues” që ka urdhëruar Gjykata.
Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë.”-deklaroi Osmani.
Kjo lëvizje vjen në një klimë të tensionuar politike, ku seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar mbi 50 herë që nga 15 prilli, për shkak të mungesës së konsensusit ndërmjet partive parlamentare, veçanërisht rreth emrit të Kryetarit të Kuvendit.
Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post, por opozita – përfshirë LDK, AAK dhe PDK – nuk e kanë mbështetur këtë emërim. Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate ka kërkuar postin e Kryetarit të Kuvendit në këmbim të mbështetjes së saj, duke e vënë në diskutim emrin e Fatmir Limajt për këtë funksion. Ky emërim është refuzuar publikisht nga LDK dhe AAK, ndërsa PDK ka lënë të hapur mundësinë për mbështetje.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ka bërë një ofertë bashkëqeverisjeje për Nismën dhe se pritet një epilog gjatë fundjavës së ardhshme. Por pa një marrëveshje të gjerë politike, numrat për konstituimin e Kuvendit mbeten të pamjaftueshëm.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese nuk ka sqaruar qartë se çfarë pasojash konkrete do të ketë nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar, duke iu referuar vetëm aktgjykimit të mëhershëm.
Në mungesë të konsensusit politik, institucionet e vendit ndodhen në një bllokadë të thellë, me pasiguri të lartë për veprimet që do të pasojnë pas datës 26 korrik.