Presidentja Siljanovska-Davkova mesazh urimi për Ditën e Alfabetit Shqip
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dërgoi urim për pjesëtarët e komunitetit shqiptar me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, duke vënë në dukje se gjuha është themel i identitetit kombëtar dhe i kujtesës kolektive të një populli, përcjell INA.
„Të nderuar bashkëqytetarë shqiptarë, 22 Nëntori është datë, rëndësia e së cilës e tejkalon simbolikën e një jubileu historik. Ai është dëshmi për vizion kombëtar dhe vetëdije për identitet të veçantë, themel i të cilit është alfabeti i standardizuar shqip“, thekson presidentja.
Në urim ajo nënvizon se gjuha është tipar themelor i veçantisë kombëtare dhe instrumenti më i fortë për ndërtimin dhe shprehjen e kujtesës kolektive, trashëgimisë shpirtërore dhe përvojës së një populli.
„Gjuha shqipe, juve shqiptarëve ju mundësoi të shprehni respekt ndaj paraardhësve, por edhe përgjegjësi ndaj pasardhësve. Në shoqërinë multikulturore maqedonase dhe sistemin politik demokratik, shqiptarët dhe gjuha shqipe kanë traditë të gjatë të ekzistencës në jetën kushtetuese, politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, sportive, mediatike, argëtuese dhe të përditshme“, pohon Siljanovska-Davkova.
Ajo vë në dukje se detyrë e përbashkët është ndërtimi i një shoqërie në të cilën uniteti nuk do t’i mohojë dallimet, por do t’i respektojë dhe do t’i trajtojë si vlera të përhershme shoqërore.
Presidentja uron që 22 Nëntori të mos jetë vetëm ditë kujtimi, feste dhe krenarie, por edhe nxitje për arritje të reja arsimore, shkencore dhe kulturore në gjuhën shqipe.(INA)