
“Raporti i BE-së thotë progres, mediat thonë katastrofë – Kush po e manipulojnë realitetin në Kosovë?”
AA
Komisioni Evropian ka publikuar së fundmi raportin vjetor të progresit për Kosovën, i cili jep vlerësime pozitive për disa fusha kyçe si sundimi i ligjit, klima e biznesit dhe përkushtimi ndaj rrugës evropiane. Megjithatë, në vend, një pjesë e madhe e mediave dhe aktorëve politikë vazhdojnë ta akuzojnë qeverinë aktuale, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, për “shkatërrim të shtetit” dhe “krizë institucionale”, duke nxjerrë në pah një mospërputhje të qartë mes perceptimit të brendshëm dhe vlerësimeve ndërkombëtare.
Sipas raportit të BE-së, Kosova ka shënuar përparim në:
Luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me rritje të ndjeshme në ndjekjen penale të rasteve dhe forcim të institucioneve.
Përmirësimin e ambientit të biznesit, duke lehtësuar procedurat për investime dhe zhvillim ekonomik.
Përkushtimin ndaj procesit të integrimit, përfshirë aplikimin për anëtarësim në BE dhe zbatimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Po ashtu, raporti nënvizon rëndësinë e liberalizimit të vizave, që hyri në fuqi më 1 janar 2024, si një arritje e madhe për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, përkundër këtyre arritjeve, në opinionin publik vendor dominon një atmosferë e rënduar politike. Pjesë të mediave e kanë përshkruar situatën si “katastrofale”, duke kritikuar Vetëvendosjen për mosfunksionim të Kuvendit dhe për polarizim politik pas zgjedhjeve.
Ky kontrast ka ngritur shqetësime për manipulimin e perceptimeve publike, sidomos kur vlerësimet teknike të partnerëve ndërkombëtarë nuk pasqyrohen drejt në debatin publik.
“Ka një pabarazi të dukshme mes realitetit të vlerësuar nga BE dhe mënyrës si paraqitet situata nga shumë media dhe aktorë opozitarë. Kritika është e nevojshme, por ajo duhet të mbështetet në fakte, jo në emocione apo interesa të ngushta partiake,” theksojnë njohës të zhvillimeve evropiane.
Për më tepër, raporti i BE-së thekson nevojën që qeveria të kërkojë konsensus politik të brendshëm për të çuar përpara reformat evropiane. Kjo thirrje duket se bie në vesh të shurdhët, në një klimë ku opozita e fragmentuar dhe media të polarizuara po kontribuojnë në thellimin e krizës politike dhe institucionale. (INA)