
Salim Sulejmani jep dorëheqje nga Aleanca për Shqiptarët dhe pozita e deputetit: “Nuk mund të jem pjesë e një devijimi politik”
Deputeti Salim Sulejmani ka njoftuar dorëheqjen e tij nga të gjitha funksionet partiake në Aleancën për Shqiptarët (ASH), si dhe nga mandati i deputetit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Në një deklaratë të gjatë dhe të argumentuar, Sulejmani shpjegon arsyet e këtij vendimi, duke e cilësuar atë si një akt të ndërgjegjes morale, profesionale dhe politike.
Sulejmani thekson se angazhimi i tij në politikë nuk ka qenë për ambicie personale, por si përgjigje ndaj gjendjes së rëndë që sipas tij, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e përjetojnë përditë. Ai kujton se hyrja e tij në Koalicionin VLEN ishte e motivuar nga dëshira për të ndërtuar një alternativë ndaj, siç e quan ai, “strukturës së kalbur të BDI-së”.
“Koalicioni VLEN ishte antipodi i një sistemi të kapur nga korrupsioni dhe klanet personale, dhe që kishte humbur lidhjen me qytetarin e thjeshtë,” shkruan ai. Por sipas Sulejmanit, Aleanca për Shqiptarët ka devijuar tërësisht nga këto parime.
Ai e cilëson si të papranueshëm afrimin e ASH-së me BDI-në në prag të zgjedhjeve lokale, duke e quajtur këtë bashkëpunim një tradhti ndaj premtimeve politike dhe qytetarëve shqiptarë. Për më tepër, ai shpreh shqetësim për përfshirjen në këtë bashkëpunim të figurave të përmendura në lista të zeza ndërkombëtare për përfshirje në afera të rënda.
“Nuk mund të jem pjesë e një aleance të tillë. Prandaj, me përgjegjësi të plotë, po tërhiqem nga të gjitha funksionet dhe nga mandati im si deputet,” thekson Sulejmani, duke falënderuar të gjithë ata që i dhanë mbështetje dhe votëbesim.
Në fund të deklaratës së tij, ai i drejtohet me mirënjohje të veçantë qytetarëve të Strugës dhe mbështetësve të tij, duke premtuar se angazhimi i tij do të vazhdojë në forma të tjera, jashtë politikës institucionale:
“Kauza ime nuk përfundon këtu. Ajo vazhdon edhe më fuqishëm, vetëm se në një formë tjetër. Dhe shumë shpejt do t’i ndjeni frytet.”
Dorëheqja e Sulejmanit vjen në një moment kyç për skenën politike shqiptare, në mes të ndryshimeve të brendshme dhe lëvizjeve të reja politike që po formësojnë drejtimin e ardhshëm të qeverisë./ ZYRTARE.net