Sulm ndaj policit pranë Bllacës! E kapën për krahu dhe e tërhoqën me automjet
Një polic është sulmuar dhe më pas është tërhequr zvarrë nga një automjet gjatë një aksioni policor pranë pikës kufitare Bllacë. Ngjarja ka ndodhur pasi një ekip policor tentoi të ndalonte një automjet të dyshuar për transport të mallrave të kontrabanduara.
Sipas informacioneve të MPB-së, rreth orës 17:00, në rrugën nga pika kufitare “Bllacë” drejt Shkupit, policët kanë vërejtur një automjet transportues “Volkswagen Transporter” me targa të huaja, i ngarkuar me mallra të ndryshme të kontrabanduara.
Shoferi nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe vazhdoi lëvizjen. Pas një kohe, policia arriti ta ndalojë automjetin, por gjatë përpjekjes për arrestimin e shoferit, në vendngjarje ka mbërritur një automjet tjetër.
Nga automjeti ka zbritur një person, i cili ka sulmuar fizikisht njërin prej policëve. Gjatë incidentit, njëri prej personave e ka kapur policin për krahu dhe e ka tërhequr me automjetin e drejtuar nga personi tjetër.
Polici më pas është lëshuar, ka rënë në tokë dhe ka pësuar lëndime.