(VIDEO) Mot me shi dhe pluhur saharian deri në fund të javës
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka njoftuar se Maqedonia e Veriut po hyn në një periudhë me mot të paqëndrueshëm nën ndikimin e një rryme ajri që vjen nga Alpet. DPHM thekson se, duke filluar nga sot (e enjte) e deri në fund të javës, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe reshje të herëpashershme shiu. Në disa vende, shiu do të jetë i rrëmbyeshëm, i shoqëruar me bubullima dhe erë të përforcuar, ndërsa sipas DPHM-së ekzistojnë kushte edhe për stuhi me shkarkime elektrike dhe breshër. Sipas parashikimeve, në disa zona pritet të bien mbi 20 litra shi për metër katror.
TABELË: DREJTORIA PËR PUNË HIDROMETEOROLOGJIKE
“Deri në fund të kësaj jave, në atmosferë do të ketë sasi të konsiderueshme pluhuri dhe rëre sahariane, prandaj ajri do të jetë sërish mjaft i turbullt dhe i ndotur, ndërsa shiu që pritet do të përzihet me këtë pluhur. Pra, reshjet gjatë këtyre ditëve do të jenë ‘shi i ndotur’.”
DPHM sqaron se në Shkup dhe rrethinë pritet mot i ngjashëm me reshje të herëpashershme, ndërsa në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. temperaturat të premten do të shënojnë rënie -nga 14 deri në 23 gradë, ndërsa të dielën pritet rritje e sërishme e temperaturave deri në 30 gradë./SHENJA/