
Vizita e Taravarit në SHBA: Takime dhe porosi të rëndësishme
AA
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka marrë pjesë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC), një nga forumet më të rëndësishme globale të spektrit konservator, që mbledh liderë dhe figura me ndikim nga e gjithë bota.
Vizita e tij në SHBA shkon përtej kornizës protokollare, duke shënuar një orientim të qartë politik dhe strategjik.
Gjatë qëndrimit në Washington, Taravari zhvilloi takime me personalitete të njohura të politikës amerikane, përfshirë kongresisten republikane Nicole Malliotakis dhe Mercedes Schlapp, ish-drejtore për komunikime strategjike në administratën e ish-presidentit Donald Trump.
Taravari nënvizoi se takimet tregojnë një qasje të strukturuar për të ndërtuar ura bashkëpunimi me kampin konservator amerikan – një nga qendrat më me ndikim në hartimin e politikave globale.
Përmes kësaj vizite, Taravari ka dërguar një sinjal të fortë për angazhim të qartë euroatlantik dhe bashkëpunim të zgjeruar me faktorët politikë në Shtetet e Bashkuara. Bashkëpunimi i paralajmëruar me Partinë Republikane nuk shihet thjesht si marrëdhënie ndërpartiake, por si një hap drejt konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të Aleancës për Shqiptarët dhe forcimit të rolit të shqiptarëve në skenën politike rajonale.
Në një kohë kur Ballkani përballet me sfida të mëdha gjeopolitike dhe rritje të ndikimit të aktorëve autokratikë si Rusia dhe Kina, ky pozicionim strategjik vlerësohet si i domosdoshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të avancuar interesat europerëndimore në rajon.
Qasje afatgjatë dhe investim politik për të ardhmen
Vizita e Taravarit në SHBA përcjell gjithashtu një mesazh të brendshëm për elektoratin shqiptar në Maqedoninë e Veriut: ndërtimi i një partie të qëndrueshme, me identitet të qartë ideologjik dhe përkrahje ndërkombëtare, që shkon përtej cikleve të zakonshme zgjedhore.