Zejtarët e Çarshisë së Vjetër ruajnë traditën brez pas brezi
Në zemër të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, zejtarët vazhdojnë të mbajnë gjallë zanatet tradicionale, të trashëguara brez pas brezi. Me përkushtim dhe punë të palodhshme, ata krijojnë dhe riparojnë produkte që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit të qytetit.
Filigranisti Selajdin Asani theksoi se me këtë zanat merret që nga fëmijëria, ndonëse për një periudhë e kishte ndërprerë punën për shkak të mërgimit. Ai tha se, pas kthimit, iu rikthye sërish profesionit dhe tashmë prej 13 vitesh e ushtron pa ndërprerje. Sipas tij, filigrania është një zanat i trashëguar në familje, pasi njëri nga axhallarët e tij ka qenë filigranist për shumë vite. Asani shtoi se filigrania mësohet duke vëzhguar mjeshtrit, duke praktikuar dhe duke fituar përvojë në punë.
SELAJDIN ASANI, FILIGRANIST
“Pjesa ma e vështirë e punës është kur nuk ka punë, se tash s’është e vështirë kjo punë kurgjo për neve, se ne e dimë. Për atë që është në fillim është e vështirë, sigurisht, mirëpo për ne që e dimë këtë punë s’është e vështirë hiç fare. E vështirë është kur nuk ka punë.”
Asani tha se klientët kryesorë janë turistët dhe qytetarët maqedonas, ndërsa interesimi i shqiptarëve për të blerë punime filigrani mbetet i ulët.
Ndërkohë, ngjyrosësi i tekstileve, Ekrem Neziri, theksoi se punishtja ku punon sot është një traditë familjare, e trashëguar nga babai i tij, i cili për dekada ushtroi të njëjtin zanat në të njëjtin lokal.
EKREM NEZIRI, NGJYROSËS I TEKSTILEVE
“Me këtë punë unë mirrem që 50 vite. Jam këtu pa u ndal asnjëherë. Tani i kam 60 vjet, prej moshës nëntëvjeçare jam këtu dhe kurrë nuk jam larguar. Si bojaxhi e ushtroj këtë zanat prej 50 vitesh dhe tashmë edhe stazhin e kam plotësuar”.
Neziri kujtoi se dikur puna ishte shumë më e vështirë. Ai tha se një nga sfidat më të mëdha ishte ngjyrosja e batanijeve të rënda, të cilat peshonin deri në nëntë kilogramë. Ai shtoi se edhe sot vazhdon të ketë klientë besnikë, kryesisht nga Shkupi, të cilët ia besojnë ngjyrosjen dhe ripërtëritjen e veshjeve.
Sa i përket thirrjes së fundit të Qytetit të Shkupit për subvencione, disa prej zejtarëve u shprehën të interesuar për të aplikuar, ndërsa të tjerë thanë se nuk e shohin të nevojshme ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
