Në stadiumin në Berlin na pret një finale spektakolare
Futbolli ka edhe një tjetër shans për t’u rikthyer në shtëpi. Ndoshta në edicionin më të pabesueshëm dhe kur ekipi i Garet Sauthgejtit nuk ka bindur aspak ia doli që të sigurojë finalen e madhe të Berlinit. Arriti që të mposhte ekipin e Holandës në një gjysmëfinale elektrizuese. Pavarësisht se Europiani që zhvilluan nuk ishte më i miri i mundshëm, në fund mbahet mend vetëm ai që arrin rezultatet.
SPANJA- Spanja elegante, e këndshme, e përkushtuar, lozonjare dhe e bukur. Skuadra më e mirë e Europianit është në finale. E bëri këtë me një tjetër të mrekullueshme, kundër Francës së yjeve që nuk shkëlqyen kurrë. Me seriozitet dhe ekuilibër duke treguar pjekuri të madhe. Fitoi një ndeshje me energji në fushë dhe në tribuna. Spanja nuk bëri kurrë llogari, edhe atëherë kur donte të bënte ndaj Shqipërisë dhe la pushim lojtarët kryesorë, sërish fitoi. Luis De La Fuente i ka qëndruar besnik stilit të tij të futbollit, nuk ka bërë pakt me askënd dhe me të njëjtën filozofi do të luajë finalen e Berlinit. Lamin Jamal është në qendër të botës. Djaloshi që theu rekord dhe shënoi golin në momentin e duhur. Dhe jo gol banal. Spanja ka fituar 3 finale nga 4 që ka luajtur. Ka shumë motive që edhe të pestën ta fitojë. Karvahal dhe Le Normand rikthehen të luajnë.
ANGLIA- Shumë ulje-ngritje dhe ndeshje që nuk ka bindur. Tifozët që kanë dashur gjithmonë kokën e trajnerit, por ai ia ka dalë që edhe me fat, edhe falë pritjeve të portierit Pikford dhe magjisë së Bellingamit të sigurojë këtë finale të madhe. Rezultatet e tij kanë qenë pozitive, pavarësisht se loja nuk ka bindur. Megjithatë në këtë gjysmëfinale pamë një Angli krejt ndryshe nga ajo që kishte treguar deri tani. Për 45 minuta bëri një paraqitje spektakolare.
Të dyja skuadrat kanë luajtur shumë ndeshje me njëra-tjetrën dhe bilanci është 14 fitore për Anglinë, 3 ndeshje në barazim dhe 10 fitore për skuadrën e Spanjës. Kjo është ndeshja e 28- të në histori mes të dyja ekipeve.
Në Berlin pritet spektakël, mes një ekipi që e ka prodhuar atë dhe një tjetri që ndoshta ka ruajtur një surprizë për në ndeshjen e madhe.