I dhunuan serbët se po flisnin shqip/ Reagon ambasada shqiptare në Mal të Zi: Kemi marrë në mbrojtje 3 të rinjtë
Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi ka reaguar pasi tre të rinj nga Shqipëria u dhunuan barbarisht atje. Ata janë goditur me sende të forta nga 8 shtetas serbë nga Bosnje Hercegovina. Tre shqiptarët e dhunuar shprehen se janë goditur nga turma serbe pasi i kanë dëgjuar duke folur shqip.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi.
Ambasada shqiptare në Podgoricë thekson se po ndjek nga afër ngjarjen.
“Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor.
Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimim e autorëve.
Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze, thuhet në njoftim.