Dukati dominon garën e sprintit në Australi, Martin ndalet në vendin e parë
Piloti spanjoll i “Dukati”-t, Horhe Martin, fitoi garën sprint në MotoGP, e vlefshme për Çmimin e Madh të Australisë. Në pistën e “Phillip Island”, kryesuesi i botërorit bëri një paraqitje të mirë, duke dominuar në pistë.
Në vendin e dytë u klasifikua një tjetër spanjoll, Mark Markez me “Dukati Gresini”, ndërkohë që podiumi kompletohet me italianin Enea Bastianini (i treti) me “Dukati zyrtar”. Vetëm i katërti italiani tjetër Françesko Banjaia, kampioni i botës në fuqi.
Ky triumf i Martin konsolidon kreun e renditjes së pilotit spanjoll, që tashmë ka 16 pikë avantazh ndaj Banjaia, në një duel “kokë më kokë” për titullin. Mëngjesin e së dielës do të zhvillohet gara e Australisë, që pritet më mjaft interes. Gara sprint e Australisë konfirmoi edhe një herë dominimin e motorit “Dukati”, me pesë pilotë në pesë vendet e para.