
Fushata e fundit e Ministrisë së Bujqësisë është fyerje për shqiptarët, reaguan nga ASH-ja e Taravarit
Aleanca për Shqiptarët nga Arben Taravari ka reaguar në lidhje me fushatën e Ministrisë së Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Fushata e re e Ministrisë së Bujqësisë me sloganin “Македонско најдобро: Наша традиција, наша гордост” përbën një fyerje të hapur për qytetarët shqiptarë dhe për të gjitha komunitetet jomaqedonase në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, reaguan nga ASH-ja.
Ata vlerësojnë se përmes fushatës me epitet “makedonsko”, bëhet përpjekje për ta shndërruar Maqedoninë e Veriut në një shtet monoetnik.
“Si mund të quhen “produkte maqedonase” domatet e Dibrës, djathi i Sharrit, lakra e Begovinës, qepa e Gostivarit, perimet e Likovës, rrushi i Vrapçishtit apo gruri i Karadakut, pa përmendur asnjëherë shqiptarët që i punojnë dhe i prodhojnë ato? Kjo është nacionalizëm institucional i ambalazhuar si promovim ekonomik”, deklaruan nga Aleanca.
Aleanca fajësoi zëvendësministrin Albrim Hoxhën se përmes heshtjes është bashkëfajtor.
“Koalicioni shqiptar në qeveri, që premtuan barazi dhe dinjitet, është zhdukur nga çdo reagim publik. Kur shqiptarët përjashtohen nga koncepti i identitetit prodhues dhe nga simbolet shtetërore, FLEN nuk thotë asgjë. Kur shteti përdoret për të promovuar vetëm një etni, FLEN sërish hesht”, deklaruan nga Aleanca.