
Ekzaminimet konfirmojnë dëmtimin, Belingami për 3 javë jashtë fushave
Real Madrid ka festuar një fitore bindëse 4-0 ndaj Xhironës së vendit të dytë në renditje dhe është shkëputur më shumë në kreun e renditjes së La Liga. Por festa e madrilenëve është prishur nga dëmtimi i mesfushorit Xhud Bellingam. Ky i fundit shënoi në ndeshjen e djeshme, por më pas kërkoi zëvendësim, pasi më parë kishte marrë një goditje në kaviljen e majtë.
Pas ndeshjes, Ançeloti bëri të ditur se anglezi do t’i nënshtrohej disa vizitave më të hollësishme dhe ato kanë konfirmuar një dëmtim që mund të kishte qenë shumë më problematik për “çështje milimetrash” sipas mediave spanjolle.
Mendohet që dëmtimi i pësuar do ta lërë atë jashtë fushave të lojës minimalisht për tre javë, gjë që do të thotë se Belingam do të mungojë që në sfidën e kësaj mesjave ndaj Lajpcig në Ligën e Kampioneve, me objektivin për t’u kthyer pikërisht në ndeshjen e dytë ndaj gjermanëve.