Qoku i përgjigjet BDI-së: Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të përdoret për të shmangur llogaridhënien
Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar ndaj kritikave të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), pas akuzave të kësaj partie se qëndrimet e tij për Marrëveshjen e Ohrit cenojnë arritjet politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Qoku ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit është e garantuar me Kushtetutën e vendit dhe se ajo nuk mund të ndryshohet pa shumicën e nevojshme parlamentare, duke kundërshtuar, siç thotë ai, përpjekjet për ta paraqitur debatin si kërcënim ndaj saj.
Sipas deputetit të VLEN-it, BDI-ja duhet t’u japë përgjigje qytetarëve për bilancin e saj politik gjatë 25 viteve të fundit dhe jo të fokusohet vetëm te retorika për Marrëveshjen e Ohrit.
“BDI duhet t’i tregojë elektoratit të vet se si ka mundësi që një parti politike, me gjithë atë ‘takat’, nuk mund të dëshmojë asnjë projekt konkret në zonat me shumicë shqiptare për 25 vjet ekzistencë”, ka deklaruar Qoku.
Ai ka kërkuar llogaridhënie për investimet dhe projektet e realizuara, duke pyetur se ku janë spitalet, stadiumet, teatrot dhe projektet infrastrukturore që, sipas tij, mungojnë në komunat me shumicë shqiptare.
Qoku ka kritikuar gjithashtu BDI-në për mënyrën se si e ka trajtuar çështjen e Marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se zbatimi i saj duhej të përfundonte më herët dhe se ende ka çështje të pazgjidhura.
Ai ka përmendur edhe çështjen e statusit të veteranëve dhe familjeve të të rënëve, duke akuzuar BDI-në se nuk ka arritur të realizojë premtimet e saj në këtë drejtim.
“Mos u merrni me broçkulla, por me llogaridhënie”, ka thënë Qoku, duke shtuar se sipas tij frustrimi i BDI-së vjen nga fakti se strategjia e saj politike nuk po funksionon më.
