BDI: VLEN-i është bërë sinonim i nënshtrimit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë, qasjes së përfaqësuesve të koalicionit VLEN në raport me partnerët e qeverisë, duke i akuzuar për mungesë guximi politik dhe dorëzim përballë presioneve.
Në reagimin e saj, BDI përmend kryetarin e Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, duke vlerësuar se fakti që ai “merr guximin t’i disiplinojë publikisht përfaqësuesit më të lartë të VLEN-it” dëshmon, sipas tyre, dobësinë politike të këtij koalicioni.
Sipas BDI-së, Dimitrievski ka qenë ndër të parët që në fillim të mandatit qeverisës imponoi praktikën që përfaqësuesit shqiptarë të mos përdorin flamurin kombëtar shqiptar në takimet zyrtare. Partia thekson se përdorimi i flamurit shqiptar është legalizuar dhe institucionalizuar gjatë qeverisjes së saj, ndërsa akuzon VLEN-in se nuk po e mbron këtë të drejtë.
BDI ndalet edhe te reagimi i Dimitrievskit lidhur me shënimin e 2 Gushtit, duke theksuar se ai i është drejtuar publikisht kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, “duke e qortuar dhe disiplinuar”, ndërsa, sipas partisë, Gashi ka zgjedhur të heshtë.
Në reagim, BDI kritikon edhe qëndrimet e mëparshme të Gashit lidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe rastin e video-incizimeve që përfshinin ministrin Ivan Stoilkoviq, duke e akuzuar për mungesë integriteti dhe kuraje politike.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që ulin kokën sa herë i qorton një partner i koalicionit. Kanë nevojë për përfaqësues që mbrojnë të drejtat e fituara, që flasin kur cenohet barazia dhe që nuk e ndërrojnë dinjitetin me kolltukun”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Në fund, partia vlerëson se “heshtja e VLEN-it nuk është maturi, por dorëzim”, duke bërë thirrje për përfaqësim politik “me dinjitet, guxim dhe zë”.
