Prokuroria hapi hetim për mashtrim dhe larje të mbi 2,2 milionë eurove përmes raporteve të rrejshme gjatë regjistrimit të automjeteve
Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim ndaj gjashtë personave nga Shkupi, të dyshuar për mashtrim dhe pastrim parash përmes dy kompanive, njëra që merret me kontrollin teknik të automjeteve dhe tjetra me ndërmjetësimin në sigurimin e automjeteve.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë përgatitur fletëpagesa të rreme gjatë procesit të kontrollit teknik të automjeteve, të cilat më pas janë miratuar dhe ekzekutuar nga personat përgjegjës. Në këtë mënyrë, pagesat që duhej të përfundonin në arkën shtetërore dyshohet se janë transferuar në llogaritë e kompanive të lidhura me të dyshuarit, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm ndaj buxhetit të shtetit.
“Nga 1 janari 2021 deri më 20 janar 2026, i dyshuari i parë, me qëllim përfitimi personal, ka përvetësuar mbi 138 milionë denarë, ndërsa të dyshuarit e tjerë i kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale”, njofton Prokuroria e Krimit të Organizuar.
Në hetim është përfshirë edhe ndihmësdrejtoresha për financa në Ndërmarrjen Publike “Rrugët Shtetërore”.
Sipas Prokurorisë, njëri nga të dyshuarit, në cilësinë e kontabilistit, ka regjistruar të dhëna të rreme në dokumentacionin financiar, me qëllim fshehjen e shumës reale të të hyrave.
Ndërkohë, ndihmësdrejtoresha për financa në NP “Rrugët Shtetërore”, sipas organit të akuzës, nuk ka kryer verifikimet e faturave në përputhje me detyrimet e saj. Prokuroria pretendon gjithashtu se ajo e ka informuar vazhdimisht pronarin e kompanisë së kontrollit teknik për veprimet e saj dhe për përfitimet financiare.
Paratë dyshohet se janë përdorur për blerje të patundshmërive
Prokuroria vlerëson se përmes këtij mekanizmi, grupi i dyshuar ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme më shumë se 2.2 milionë euro.
Sipas hetimit, paratë janë transferuar përmes xhirollogarive të kompanive simotra dhe më pas janë përdorur për blerjen e patundshmërive.
Për tre nga personat e dyshuar, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa hetimi për rastin është në vazhdim.
