Kryeministri belg uron Albin Kurtin për mandatin e ri, kërkon zgjerim të bashkëpunimit me Kosovën
Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i ka dërguar letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me rastin e marrjes së mandatit të ri, duke shprehur gatishmërinë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në letrën e tij, De Wever vlerësoi rritjen e kontakteve politike ndërmjet dy qeverive gjatë viteve të fundit, duke përmendur takimin me Kurtin në New York në shtator të vitit të kaluar dhe vizitën e ministrit belg të Punëve të Jashtme, Maxime Prévot, në Prishtinë në prill të këtij viti.
Sipas kryeministrit belg, këto shkëmbime dëshmojnë marrëdhëniet e mira ndërmjet Belgjikës dhe Kosovës.
De Wever theksoi gjithashtu bashkëpunimin në fushën e policisë dhe drejtësisë, si dhe përpjekjet e përbashkëta për luftimin e krimit të organizuar, të cilin e cilësoi si çështje shqetësuese për të dyja vendet.
Ai shprehu shpresën që bashkëpunimi të zgjerohet edhe në fusha të tjera, përfshirë mbrojtjen dhe sistemin e burgjeve.
Një vëmendje të veçantë në letrën e tij, kryeministri belg i kushtoi edhe marrëdhënieve ekonomike, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve të krijuara përmes diasporës kosovare në Belgjikë.
Mesazhi i De Wever vjen në kuadër të vazhdimit të kontakteve ndërmjet dy vendeve, me synimin për të forcuar bashkëpunimin në siguri, drejtësi dhe ekonomi./Shprehja.com