Kupa e Italisë, çerekfinalet zhvillohen të gjitha javën e ardhshme
Pas fitores së Juventusit ndaj Salernitana-s, janë plotësuar dhe të gjitha çiftet çerekfinaliste të Kupës së Italisë, ku “bardhezinjtë” do ndeshen me skuadrën e Frosinones, Bolojna-s do të përballet me “violët” e Fiorentina, Roma do të sfidojë “Shqiponjat” e Lacio-s, në “derbin e kryeqytetit”, ndërsa Atalanta e Berat Gjimshitit do të përballet me “djajtë” e Milanit.
Janë përcaktuar dhe datat kur do të zhvillohen këto sfida, ku gjithçka do të kryhet brenda javës së ardhshme, me sfidën e parë, që do të zhvillohet mbrëmjen e së martës, së 9 janarit, ku në “Artemo Franki” të Firences, “violët” e Fiorentina-s do të presin “emilianët” e Bolonja-s, në një përballje e cila nuk duhet humbur.
Çerekfinalet ndizen të mërkurën e 10 janarit, me “derbin e Kryeqytetit” Lacio-Roma, që do të përballen në orën 18:00 në stadiumin “Olimpiko”, ndërsa në orën 21:00, po të mërkurën, vëmendja do të spostohet e gjitha në “San Siro”, aty ku “djajtë” e Milanit do të përballen me “zikaltërit” e Atalanta-s. Ndërkaq, gjithçka do të mbyllet mbrëmjen e së enjte, ku në stadiumin “Allianz” të Torinos, “bardhezinjtë” e Juventusit do të sfidojnë skuadrën e Frosinone-s.