Mickoski: Pa masat qeveritare, dizeli do të ishte më i shtrenjtë për 11 denarë
Pa masat qeveritare, çmimi i dizelit në vend do të ishte më i shtrejntë për 11 deri në 11.5 denarë, ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski në paraqitjen e tij në RTVM-2, duke vënë në dukje se kjo nënkupton siç tha ai, kursime të drejtpërdrejta prej më shumë se 250 mijë eurosh në ditë për qytetarët.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“ Dizeli nëse nuk do të ishin këto masa qeveritare, do të ishte më i shtrenjtë për 11 deri në 11.5 denarë për litër. Çfarë do të thotë kjo në para? Kjo do të thotë më shumë se 250 mijë euro në ditë. Kaq janë kursimet e bëra nga masat qeveritare për qytetarët, kur flas për kursime, flas për kursime direkte. Kur kësaj i shtojmë benzinën pa plumb 95 dhe benzinën 98 oktan, atëherë do të arrijmë në më shumë se 300 mijë euro në ditë kursime direkte për qytetarët.”
Mickoski ka ripërsëritur se përballë një krize globale energjetike, çmimet e karburanteve në vend janë më të ulëtat në Evropë, me masat qeveritare siç thotë ai, që ulin ndjeshëm ndikimin në standardin e jetesës së qytetarëve.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Bota aktualisht po përjeton krizën më të madhe energjetike që njerëzimi nuk e ka mbajtur mend. Në këto kushte, çmimi i karburanteve në Maqedoni është më i ulëti në Evropë. Nëse e krahasojmë me fqinjësinë, me Greqinë, me Shqipërinë, me Serbinë fqinje, ose nëse shkojmë më në veri në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni e kështu me radhë, do të shihni se çmimi i karburanteve këtu është 20 deri në 50% më i lirë krahasuar me atë që është në fqinjësi”.
Sipas Mickoskit, masat qeveritare në dy javët e ardhshme do të sigurojnë kursime të drejtpërdrejta në buxhetin e qytetarëve prej 4 deri në 4.5 milionë euro, duke shtuar se vendi ka rezerva të mjaftueshme dhe furnizim të qëndrueshëm me karburant.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/