Revizorët konstatuan parregullsi në tenderët e EMV-së
Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar një sërë mangësish dhe parregullsish në planifikimin, zbatimin dhe realizimin e prokurimeve publike në Shoqërinë Aksionare EMV – Shkup. Nga revizioni, siç thuhet në raport, janë konstatuar prokurime të mallrave dhe shërbimeve që nuk janë përdorur ose nuk janë realizuar plotësisht. Janë paguar 2,29 milionë euro (141,6 milionë denarë) për blerjen e një aditivi, pjesa më e madhe e të cilit ka mbetur plotësisht e papërdorur dhe i ka skaduar afati i përdorimit.
Përmes një procedure me negocim pa publikim të njoftimit, për shkak të një urgjence të pretenduar ekstreme, janë paguar 2,48 milionë euro (153,2 milionë denarë) për një motor me gaz. Ai ka qëndruar për një kohë të gjatë i magazinuar dhe nuk është vënë fare në funksion, pasi nuk ishin siguruar as parakushtet bazë për instalimin e tij.
Enti Shtetëror i Revizionit
“Janë paguar gjithashtu 1,72 milionë euro (106,2 milionë denarë) për aktivitete për zhvendosjen e pajisjeve që nuk janë vënë fare në përdorim. Mbi 70 për qind e vlerës së përgjithshme të kontratave të lidhura në vitin 2024 kanë përfunduar te vetëm gjashtë operatorë ekonomikë, ndërsa në një numër të madh procedurash është pranuar vetëm një ofertë”.
Përveç kësaj, revizorët kanë konstatuar prokurime me specifikime teknike të përshtatura që favorizojnë një markë të caktuar ose prodhues të autorizuar, mospranimin e dokumentacionit të certifikatave (atestimeve), si dhe tejkalimin e pragut ligjor të vlerës për prokurime pa zhvillimin e procedurës, në shumën mbi 81 mijë euro.
Enti Shtetëror i Revizionit
“Te një pjesë e procedurave nuk është kryer kontroll i plotë dhe i detajuar i dëshmive për përmbushjen e kushteve, ndërsa për mallrat dhe shërbimet e dorëzuara, në raste të caktuara mungon dokumentacioni përkatës teknik, i certifikatave (atesteve) dhe dokumentacion tjetër i besueshëm”.
Enti Shtetëror i Revizionit i ka dorëzuar EMV-së një sërë rekomandimesh, me qëllim që të sigurohet përdorim më i shpejtë, më ekonomik, transparent dhe ligjor i burimeve publike.
Teuta Buçi /SHENJA/