
“Shpifje të ulëta” – Blerant Ramadani demanton akuzat e zv.kryeministrit Fetai
Sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Blerand Ramadani, ka reaguar ndaj akuzave të zëvendëskryeministrit Arben Fetai, i cili e akuzoi kreun e ASH-së Arben Taravarin dhe sekretarin e partisë Blerant Ramadanin për sabotim të procesit të punësimit të shqiptarëve në administratë.
Ramadani i cilësoi këto akuza si shpifje të ulëta dhe i konsideroi të pavërteta, duke theksuar se gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike ka qenë gjithmonë pranë qytetarëve dhe aktivistëve.
“Në rrethana normale, nuk do ndalesha as një sekondë tek një shpifje kaq e ulët. Por për hatrin e shumë aktivistëve që më kanë shkruar të mllefosur, ndjej përgjegjësi morale të them disa fjalë. Njerëzit më njohin. Asnjëherë në jetën time s’kam lënduar qytetar, e lëre më aktivistë,” – shkruan Ramadani.
Ai kritikoi Fetain për, siç tha, mungesë veprimesh konkrete gjatë mandatit të tij si zëvendëskryeministër dhe për mungesë të angazhimit në dobi të strukturave shqiptare.
“Gjatë gjithë mandatit të tij, nuk kemi parë asnjë proces të vetëm të lëvizur në dobi të strukturave tona – as punësime, as mbështetje konkrete, as zë në mbrojtje të interesave tona. Heshtje dhe distancë. E tani papritur u kujtua të bëhet ‘i zëshëm’, por jo për popullin, për veten,” – vijon reagimi.
Ramadani aludon gjithashtu për ambiciet e parealizuara të Fetait brenda ASH-së, duke sugjeruar se qëndrimet e tij aktuale burojnë nga zhgënjimi personal.
“E kuptoj se mbase dhimbja më e madhe është ajo që s’arriti të bëhej sekretar i Aleancës. Por të kafshosh dorën që të ka ushqyer, partinë që të solli aty ku je, është më shumë shenjë karakteri sesa qëndrimi politik.”
Në fund, Ramadani theksoi se zgjedh të përgjigjet me vepra dhe jo me viktimizime, duke lënë të kuptohet se nuk do të përfshihet më tej në përplasjet e brendshme politike.
“Unë s’kam as kohë, as interes për uluritjet e egos së lënduar. Si gjithmonë preferoj të flas me vepra, jo me viktimizime. Kush ka sy, sheh. Kush ka memorie, kujton. E kush ka dinjitet, hesht kur s’ka ç’të thotë,” përmbyll Ramadani.
Gjatë një prononcim për ZYRTARE.net, zv kryeministri Arben Fetai drejtoi akuza të ashpra ndaj kreut të ASH-së Arben Taravarin dhe sekretarit të partisë Blerant Ramadanin për sabotim të procesit të punësimit të shqiptarëve në administratë./ZYRTARE.net