Tieri Anri: Periudha e ‘Covid’-it më bëri shumë të ndjeshëm
Tieri Anri padyshim konsiderohet si një prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit teksa fitoi Kupën e Botës me Francën në vitin 1998 ndërsa zhvilloi një karrierë të shkëlqyer me Arsenalin (golashënuesi më i mirë në historinë e topçinjve) apo Barcelonën.
Megjithatë, pavarësisht sukseseve, edhe ish-sulmuesi ka kaluar momente të vështira në karrierën e tij. Anri zbuloi së fundmi se ka vuajtur depresionin në kohën kur ishte futbollist edhe pse këtë nuk e kishte kuptuar në atë periudhë. 46-vjeçari shprehet se periudha e izolimit nga “COVID” e bëri shumë të ndjeshëm aq sa nuk i mbante lotët.
“Gjatë karrierës sime kam qenë në depresion, por nuk e kam kuptuar. Nuk kam bërë asgjë për ta kaluar atë gjendje, thjesht jam përshtatur. Kam gënjyer për një kohë të gjatë, pasi e dija se shoqëria nuk ishte gati për të dëgjuar atë që unë kisha për të thënë. Periudha e ‘COVID’-it më bëri shumë të ndjeshëm. Isha i izoluar dhe për një vit nuk munda të takoja fëmijët e mi. Qaja thuajse çdo ditë pa pasur një arsye konkrete, besoj se ishin lot që ishin mbledhur prej shumë kohësh. Kisha nevojë të çlirohesha dhe kuptova se ishte ai Anri i vjetër që po qante. Po qaja për çdo moment të kaluar ku isha munduar të tregohesha i fortë”, u shpreh mest tjerash Tieri Anri.