LSDM: Mucunski zhvillon bisedime të fshehta për të ardhmen e Maqedonisë
Partia opozitare LSDM ka reaguar ndaj intervistës së fundit të ministrit të Jashtëm Timço Mucunski, prej ku tha se, Mucunski pranoi publikisht se po zhvillon bisedime për fatin e vendit, por se ato janë të fshehta. Ata po ashtu akuzuan Ministrinë e Jashtme për partizim të politikës së jashtme, duke thënë se, nuk ekziston një shtet normal në të cilin, një ministër i Punëve të Jashtme thotë se, bisedimet për të ardhmen e shtetit janë të fshehta për qytetarët e tij.
LSDM
“Realiteti është i qartë: politika e jashtme aktuale po lëviz gjithnjë e më shumë nën ndikimin e “botës serbe” dhe faktorit rus, në vend të një pozicionimi të qartë evropian. Pyetja për qytetarët është e thjeshtë: Pas të gjitha gënjeshtrave me të cilat VMRO erdhi në pushtet, pas të gjitha gënjeshtrave me të cilat Mickoski dhe VMRO-GOK qeverisin – a i besoni Timço Mucunskit dhe bisedave të tij të fshehta që ai zhvillon në emrin tuaj? A i besoni Hristijan Mickoskit?”
Nga LSDM më tej kanë shtuar se, Ministria e Punëve të Jashtme nuk është një institucion mbi Qeverinë, por është pjesë e së njëjtës Qeveri, e cila për dy vjet nuk ka hapur asnjë kapitull të negociatave, ka tejkaluar afatet për reformat dhe i vetmi “rezultat” që ofron është narrativa se opozita nuk ka të drejtë të flasë.
Kujtojmë se, Mucunski në një intervistë të dhënë për agjencinë MIA së fundmi, tha se po punojnë për një zgjidhje afatgjate por, “nuk duhet t’i ndajnë detajet e këtyre bisedave, sepse nëse fillojnë t’i ndajnë ato me publikun, ndjellin mossukses”.
Ai paralajmëroi se, muajt e ardhshëm do të ketë më shumë mundësi takimesh me zyrtarët bullgarë dhe tha se mund të takohen në formate të ndryshme multiraterale. /SHENJA/
