Sali: Ministri i ri i drejtësisë po punon mbi Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal
Miratimi i Kodit Zgjedhor nga të gjitha partitë politike është ende në fazë të bisedimeve. Kështu deklaroi sot zëvendës kryeministri dhe ministri i Çështjeve Evropiane Bekim Sali. Ai thotë se pas ndryshimeve në Ministrinë e Drejtësisë, ka përpjekje për miratimin e këtij ligji.
Bekim Sali, zv/kryeministër
“Siç e dini, ky ligj u pranua njëzëri nga më shumë faktorë politik, të them parti politike, që janë pjesë e Kuvendit, megjithatë në moment të fundit u tërhoqën dy parti dhe nuk i mbështetën këto ndryshime. Pas ndryshimeve në Ministrinë e Drejtësisë, tashmë ka përpjekje për miratimin e këtij ligji, megjithatë këto janë në fazën e bisedimeve”.
I pyetur nëse po punohet edhe në Kodin Penal, zv.kryeministri Sali u përgjigj se ministri i ri i Drejtësisë është përkushtuar edhe në këtë çështje.
Bekim Sali, zv/kryeministër
“Ministri i ri është përkushtuar edhe në Kodin Penal, kështu që vlerësoj se janë ligje që kërkojnë konsensus dhe mbështetje nga më shumë nivele. Ministri po punon dhe shpresoj që do të arrij ta realizoj qëllimin final”.
Për Kodin Zgjedhor, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi të hënën u shpreh se kjo ka qenë temë e diskutimit në takimin me koordinatorët e grupeve parlamentare dhe se ka dërguar mesazh që ato të miratohen pavarsisht se kur do të ketë zgjedhje. Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski tha se zhbllokimi i Kodit Zgjedhor, do të bëhet kur opozita të formoj qëndrim të përbashkët.
Kodi Zgjedhor është pjesë e reformave të procesit eurointegrues. Ndërkohë, Ministria për Çështje Evropiane realizoi sot Takim Ndërrajonal të Kryenegociatorëve dhe Zyrtarëve të Lartë përgjegjës për Integrimin Evropian, nga rajoni, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Komisioni Evropian, prej ku u dha mesazhi se procesi i Integrimit në Unionin Evropian duhet të jetë i dukshëm, i bazuar në merita dhe duhet të nxit zhvillim të shtetit, si në aspektin e stabilitetit shtetëror, ashtu edhe në aspektin e stabilitetit financiar.
Zëvendës kryeministri Sali bëri me dije se presidentja Fon Der Lajen pritet ta vizitoj vendin në fillim të tetorit, në kuadër të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Emine Ismaili /SHENJA/